Faruku dhe Termitet

Faruku dhe Termitet

 Ishte një ditë e bukur me diell. Faruku kishte shkuar në piknik me mësuesin dhe shokët e tij.

Ai, bashkë me shokët e tij, filluan të luanin kukafshehtas.

Befas, ai dëgjoi një zë që i thirri: “Kujdes!” Ktheu kokën në të majtë dhe në të djathtë që të dallonte nga i vinte zëri, por atje nuk kishte asnjë njeri. 

Pas pak, e dëgjoi të njëjtin zë që i tha: “Hej, jam këtu poshtë!”

Për habi, ngjitur me këmbën e tij, vuri re një insekt të vockël që ngjante si milingonë.

-“Kush je ti ?” e pyeti ai.

-“Unë jam një termite,” u përgjigj krijesa e vogël.

-“Unë s’kam dëgjuar kurrë më parë për një krijesë të quajtur termite,” – ra në mendime Faruku. -“Po ti, vetëm jeton?”

-“Jo,” u përgjigj insekti i vogël. -“Ne jetojmë në fole, në familje të mëdha. Nëse dëshiron, unë mund të të tregoj njërën prej tyre.”

Faruku pranoi dhe ata shkuan së bashku. Kur arritën tek foleja, ai vuri re se, ajo i ngjante një ndërtese të lartë me shumë dritare.

-“Ç’është kjo?” pyeti Faruku.

-“Kjo është shtëpia jonë,” i shpjegoi termitja, -“Ne i ndërtojmë vetë ato.”

-“Po, ju jeni shumë të vogla,” vuri në dukje Faruku. -“Nëse edhe shoqet e tua janë kaq sa ti, atëherë, si ka mundësi të ndërtoni një fole kaq të madhe?”

Termitja buzëqeshi dhe tha: -“Ke të drejtë të habitesh, Faruk. Është me të vërtetë e çuditshme, por mos harro se, kjo për Allahun, i Cili na ka krijuar ne të gjithëve, është e lehtë.”

-“Përveç se janë shumë të larta, foletë tona kanë edhe cilësi të tjera mjaft të veçanta. Për shembull, ne ndërtojmë dhoma të veçanta për fëmijët, lemë vende të posaçme ku rrisim kërpudha, dhe ç’është më e bukura, ne ndërtojmë dhomën e mbretëreshës. Ne, gjithashtu, nuk harrojmë të bëjmë sistemin e ajrosjes për shtëpitë tona. Në këtë mënyrë ne ekuilibrojmë lagështirën dhe temperaturën brenda në fole. Më lejo të të them edhe diçka tjetër, Faruk. Ne nuk mund të shohim!” 

Faruku mbeti gojëhapur. -“Megjithëse jeni kaq të vogla sa mezi shiheni me sy, ndërtoni shtëpi të larta si njerëzit. Si e bëni gjithë këtë?”

Termitja vuri buzën në gaz. -“Siç të thashë edhe më parë, është Allahu, Ai që na i jep këto veti të jashtëzakonshme. Ai na ka krijuar në mënyrë të tillë që ne jemi të afta t’i bëjmë gjithë këto vepra të mrekullueshme. Tani më duhet të shkoj në shtëpi Faruk dhe të ndihmoj shoqet e mia.”

Faruku e kuptoi dhe i tha: -“Mirë, edhe unë duhet të shkoj menjëherë t’i tregoj mësuesit dhe shokëve çfarë mësova për ty.”

-“Ide e mirë Faruk,”- ia bëri me dorë termitja e vogël. -“Kujdesu për veten. Shpresoj të shihemi përsëri.”